Koncert i artistëve shqiptarë

Koncerti “Notes on Albania”, dhënë në sallën e Kolegjit Mbretëror të Muzikës, në Londër, përfaqësoi me dinjitet kulturën shqiptare përpara një audience të veçantë.

Rreth 400 spektatorë; ku kishte ambasadorë, diplomatë, lordë, parlamentarë, profesorë universitetesh, muzikologë, anëtarë të shoqatës anglo-shqiptare, biznesmenë, dashamirës anglezë të muzikës, bashkatdhetarë me banim në Britaninë e Madhe; ndoqën jo vetëm notat muzikore të interpretuara me virtuozitet nga artistët shqiptar në këtë koncert, i cili synonte njëkohësisht t’i nxiste ata të merrnin shënim se Shqipëria është një vend europian dhe që ka tërë potencialin, bukurinë, sharmin dhe aftësinë e njerëzve të saj, për të qenë e tillë.

Në qendër të koncertit ishte emri dhe frymëzimi i artistes, tashmë me famë botërore, Ermonela Jaho, e cila ndodhet në Londër në përgatitje të performancës së saj në Janar, në Operan Mbretërore të Londrës, në “Covent Garden”, pas suksesit të fundit në Paris.

Programi i saj u plotësua me zërin e sopranos tjetër shqiptare, e ardhur enkas në Londër nga Bukureshti, Arlinda Morava, shoqëruar në piano nga Maestro Petrescu dhe violinçelistja Klara Bregu, me tingujt e violinës së Alda Dizdarit dhe meloditë e mrekullueshme të luajtura nga “Alb - Trio” e Londrës, e drejtuar nga pianistja Mariela Cingo.

Shfaqja u përshkrua nga një ritëm i lartë dhe u ndoq me interes të jashtëzakonshëm. Koncerti arriti kulmin me “Sempre Libera” nga “Traviata” e Verdit, interpretuar nga diva shqiptare Ermonela Jaho, dhe u mbyll në mënyrë madhështore me këngën “Të duam më shumë Shqipërinë”, ekzekutuar nga të gjithë artistët.

Ky koncert, i organizuar nga Ambasada shqiptare, shënon një gur të ri kilometrik të diplomacisë kulturore, që kësaj here kishte ndalesë kryeqytetin britanik.

Comments

Popular posts from this blog

Shqiptaret ne Amerike, kush deshtoi dhe kush po ben sukses

Liberta Spahiu – Profil

R.I.P. Monica Spear (Miss Venezuela 2004)