Festivali, teatër në rrugë

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Butrint 2000” ka mbyllur mbrëmjen e djeshme edicionin e tij të 12. Trupa teatrore e teatrit “Silence” të Bergamos (Itali) ishte debutimi më i veçantë ndër vite i këtij Festivali pasi performoi në rrugë mes qindra vizitorëve në shëtitoren e Sarandës. 

Pjesa e titulluar “Si ëngjëjt në qiell” befasoi publikun me dinamikën dhe format e avancuara të ekspresionit. “Ëngjëjt” hynë mes publikut në shëtitore, u vendosën krah monumenteve dhe u përpoqën të vendosin një komunikim të heshtur mes teatrit dhe mjedisit jetësor dhe një dialog jetësor mes hapësirës urbane dhe punës artistike.

Regjisori Luigi Pezzotti deklaroi: “Unë besoj se ajo që ne performojmë kuptohet prej publikut të çdo kombësie. Gjuha e gjesteve privilegjon trupat si mjete komunikimi dhe gjuha e trupit përkthehet njësoj në çdo gjuhë. “Silence”, nga vetë emri, performon punën kërkimore përmes formave ekspresioniste dhe përmes bërjes së publikut pjesë të këtij aksioni. Ne kemi marrë pjesë në dhjetëra festivale, por sonte këtu jemi shumë të emocionuar sepse ka shumë njerëz, pak hapësirë dhe shumë kuriozitet.”

Teatri “Silence”, pjesëmarrës në më shumë se 40 festivale të këtij lloji në të gjithë botën, njihet gjithashtu si autori dhe promotori i eksperiencës së quajtur “Vendet e Kujtesës”, një teatër qëllimi i të cilit është prodhimi i një shfaqjeje teatrale në rrugë.

Një kritik i njohur teatri, Dino Kubatis, i mbërritur nga Greqia për të ndjekur edicionin e 12 është shprehur i befasuar prej të gjitha debutimeve: “Teatri që ndoqëm sot është një formë bashkëkohore mjaft e njohur e artit teatral. Ai po praktikohet tashmë në të gjithë Europën për të promovuar hapësira publike dhe për të dhënë mesazhin se subjekti teatral duhet të jetë pjesë e mjedisit të vet dhe t’i japë hapësirës mundësinë e një frymëmarrjeje të thellë historike. Unë i ndoqa të gjitha shfaqjet dhe sinqerisht ju kam zili që keni mundur t’i prezantoni publikut trupa kaq të mëdha si ato që ndoqëm përgjatë netëve të Festivalit. Shpresoj se trupa greke do të jetë mes përzgjedhjeve të vitit të ardhshëm.”

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti 2000” u rikthye pas dy vitesh mungesë pa praninë e një trupe shqiptare, por kritikët vlerësuan si mjaft prestigjoze pjesëmarrjen dhe performancat, ndërsa organizatorët thanë se Festivali nuk do të mungojë më kurrë.

Comments

Popular posts from this blog

Shqiptaret ne Amerike, kush deshtoi dhe kush po ben sukses

Liberta Spahiu – Profil

R.I.P. Monica Spear (Miss Venezuela 2004)